Më datë 10 dhjetor 2025, në ambientet e Universitetit “Barleti”, u zhvillua Konsultimi i Tretë Kombëtar në kuadër të projektit “Preparation of Inventory of Unwanted Controlled Substances for Albania and Preparation of the National Action Plan”.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit (NjKO) dhe nën koordinimin e pedagoges Silvana Delia, duke synuar forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sigurimin e një procesi gjithëpërfshirës për menaxhimin e substancave të kontrolluara sipas kërkesave të Protokollit të Montrealit.
Konsultimi shërbeu si një platformë teknike dhe profesionale për shkëmbimin e informacionit, diskutimin e gjetjeve paraprake të inventarit dhe avancimin e hartimit të Planit Kombëtar të Veprimit për menaxhimin e substancave të kontrolluara dhe HFC-ve.
Pjesëmarrja
Në aktivitet morën pjesë 93 pjesëmarrës, përfshirë: pedagogë dhe përfaqësues të komunitetit akademik, profesionistë dhe ekspertë të fushës; përfaqësues të institucioneve dhe aktorë të interesuar; studentë të Universitetit Barleti.
Pjesëmarrja e gjerë mundësoi zhvillimin e një dialogu ndërdisiplinor dhe tekniko-profesional mbi sfidat aktuale dhe nevojat për përmirësimin e menaxhimit të substancave të kontrolluara në nivel kombëtar.
Tematikat kryesore të trajtuara
Gjatë konsultimit u prezantuan dhe u diskutuan çështje kryesore, ndër të cilat:
- Përditësimi mbi progresin e projektit dhe rezultatet paraprake të inventarit, prezantuar dhe koordinuar nga drejtuesja e Njësisë Kombëtare të Ozonit, znj Mimoza Vokshi.
- Analiza e të dhënave të mbledhura nga institucionet publike dhe sektori privat, identifikimi i bankave ekzistuese të substancave të kontrolluara dhe evidentimi i boshllëqeve të informacionit, prezantuar nga Ped. Dr. Ledio Kosta (Universiteti Barleti);
- Kuadri ligjor dhe institucional për menaxhimin e substancave të kontrolluara, përfshirë zbatimin e legjislacionit kombëtar dhe përafrimin me rregulloret e Bashkimit Evropian, prezantuar nga Ped. Dr.(C). Silvana Delia;
- Kapacitetet ekzistuese dhe sfidat teknike në trajtimin, magazinimin dhe identifikimin e substancave të papërdorura, prezantuar nga Z. Ilir Palushaj, Konsulent Kombëtar;
- Prezantimi i draftit fillestar të Planit Kombëtar të Veprimit, me fokus masat prioritare, ndërhyrjet konkrete dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërinstitucional. Znj. Mimoza Vokshi, Përfaqësuese e NOU
Rezultatet dhe ndikimi
Diskutimet dhe komentet e pjesëmarrësve kontribuan në përmirësimin e mëtejshëm të procesit të inventarizimit dhe hartimit të Planit Kombëtar të Veprimit, duke ndihmuar në:
- identifikimin e burimeve të reja të informacionit;
- përmirësimin e cilësisë së të dhënave të mbledhura;
- evidentimin e sfidave praktike në menaxhimin e substancave të kontrolluara;
- forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe komunitetit akademik.
Konsultimi i Tretë Kombëtar përbëri një etapë të rëndësishme në procesin e përgatitjes së inventarit kombëtar dhe të instrumenteve strategjike për menaxhimin e substancave të kontrolluara, duke mbështetur zbatimin e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Protokollit të Montrealit dhe objektivave globale për mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe klimës.

