Më 5 dhjetor 2025, me pjesëmarrjen e 93 studentëve të ciklit Master të Fakultetit të Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit të Universitetit “Barleti”, njëkohësisht mësues në shkolla të ndryshme në Shqipëri, në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit, u zhvillua një leksion i Hapur me temë: “Vepro, Riciklo, Shpëto: Roli yt në Protokollin e Montrealit, mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe klimës”.
Ora e hapur u drejtua nga pedagoge Dr. Adriana Qafa, ndërsa përmbajtja akademike u fokusua në rëndësinë e Protokollit të Montrealit dhe në aplikimin e filozofisë 3R – Rikuperim, Riciklim dhe Rigjenerim si qasje kyçe për mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe adresimin e sfidave klimatike globale.
Një veçori e rëndësishme e këtij aktiviteti ishte fakti se pjesëmarrësit ishin mësues në detyrë, me përvojë profesionale, të ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, çka i dha orës së hapur një impakt që shkon përtej numrit të pjesëmarrësve, duke reflektuar potencialin e saj për ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin arsimor parauniversitar.
Në moderimin e takimit nga Pedagoge Silvana Delia, diskutimet u përqendruan në mënyrë aktive në:
- sfidat konkrete që mësuesit hasin në informimin dhe ndërgjegjësimin e nxënësve mbi mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe ndryshimet klimatike;
- vështirësitë në kthimin e njohurive teorike në veprime praktike dhe iniciativa konkrete në shkolla;
- nevojën për mjete didaktike bashkëkohore dhe qasje pedagogjike inovative për mësimdhënien e çështjeve mjedisore.
Një fokus i veçantë iu kushtua edhe rolit që Universiteti Barleti mund të luajë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies, përmes:
- mbështetjes së mësuesve dhe lektorëve të interesuar me materiale didaktike;
- ndërtimit të kapaciteteve profesionale;
- dhe krijimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet arsimit universitar dhe atij parauniversitar.
Ora e hapur u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të edukimit mjedisor, duke kontribuar në përgatitjen e profesionistëve të arsimit që jo vetëm zotërojnë njohuri teorike, por edhe janë të aftë t’i shndërrojnë ato në praktika konkrete edukative me ndikim afatgjatë në komunitet.

